Shqipëria ka bërë hapa të mëdha përpara në zhvillim ekonomik gjatë dekadave të fundit, duke mundësuar që vendi të rritet në një mënyrë të qendrueshme e gjithëpërfshirëse. Ritmi i shpejtë i rritjes ekonomike e ndihmoi Shqipërinë të ngushtojë hendekun e të ardhurave për frymë – duke i rritur ato nga 18% të mesatares së të ardhurave të Bashkimit Europian (BE) në 1998 në 30% në 2012. Kjo rritje përgjysmoi varfërinë në vend nga 25.2% në 2002 në 12.5% në 2008.
Kriza globale financiare e 2008 ndikoi konsiderueshëm rritjen ekonomike në Shqipëri dhe vendi tani po përballet me një sërë sfidash ekonomike dhe fiskale ndërsa është future në udhën e integrimit drejt BE-së.
Kuadri i Partneritetit për Vendin (KPV) mes vendit dhe Grupit të Bankës Botërore, aprovuar së fundmi, përcakton një program që synon mbështetjen e aspiratave të Shqipërisë për rritje gjithëpërfshirëse dhe integrimin në Bashkimin Europian. E mbështetur në tri fusha kryesore sic janë rivendosja e ekuilibrave makroekonomikë, stimulimi i rritjes së sektorit privat, dhe forcimin i menaxhimit të sektorit publik e ofrimit të shërbimeve, KPV-ja identifikon prioritetet kryesore të angazhimit për bashkëpunim gjatë pesë viteve të ardhshme.
Drejt një modeli rritjeje ekonomike të qëndrueshme
Qëndrueshmëria fiskale dhe financare ka një ndikim themelor në aftësinë e Shqipërisë për të lëvizur drejt një modeli të një rritjeje ekonomike të përshpejtuar dhe të qendrueshme. Duke paguar pagesat e prapambetura ndaj sektorit publik, për shembull, hartuesit e politikave mund të rrisin flukset financiare drejt sektorit privat – faktor kyç për të rritur kërkesën brenda vendit dhe për të kontribuar drejtpërsëdrejti në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Reformat në paga dhe pensione kanë qenë faktorë kyç në uljen e varfërisë në vend. Menaxhimi më i mirë i shpenzimeve dhe rritja e efikasitetit për to mund të krijojnë mundësi për investime në shërbimet sociale – duke kontribuar kështu në rritjen e mirëqenies për të varfërit dhe 40 përqindëshit të popullsisë me nivelin më të ulët të të ardhurave.
Të përmirësosh biznesin, të përmirësosh jetët
Reformat për përmirësimin e mjedisit të biznesit janë kritike për krijimin e vendeve të reja të punës dhe mund të forcojnë lidhjen mes rritjes ekonomike dhe reduktimin të varfërisë. Konkurrueshmëria, krijimi i vendeve të punës, inovacioni dhe fusha të tjera të angazhimit mund të ndihmojnë në kapërcimin e sfidave të vazhdueshme, të cilat pengojnë mjedisin e biznesit në vend.
Sektori i turizmit në Shqipëri ka përjetuar një rritje të shpejtë vjetore me vizitat e turistëve gjatë viteve të fundit, por pasurite natyrore të vendit dhe bukuria natyrore e pacënuar do të duhet të vihen në shërbim të zhvillimit të qendrueshëm të turizmit. Vendi vijon të mësojë nga rezultatet e projekteve të mëparshme për të siguruar zhvillimin e turizmit dhe nxitur rritjen ekonomike – duke konsideruar dallimet rajonale dhe nevojat e grupeve të përjashtuara.
Rritje ekonomike dhe investime energjike
Vendosja e sektorit energjetik në baza të qendrueshëm financiarisht është shumë e rëndësishme për rritjen dhe konsolidimin fiskal në Shqipëri. Sigurimi i një furnizimi të përballueshëm dhe qendrueshëm me energji është një nga themelet e rëndësishme për nxitjen e investimeve, rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë.
Prodhimi i energjisë varet tërësisht nga burimet ujore. Zhvillimi i potencialeve hidroenergjitike të vendit mund të shërbejë si një shtytës i fuqishëm për rritjen ekonomike për të ndihmuar rajonet e pafavorizuara që të kapërcejnë pabarazinë dhe varfërinë.
Të sigurosh tokën për të ardhmen
Menaxhimi i paqendrueshëm i tokës dhe zbatimi i dobët i të drejtave mbi pronën mbetet një pengesë kryesore për firmat, fermerët dhe familjet për të hyrë në tregun e tokës. Sigurimi i të drejtave mbi pronën, formalizimi ndërtimeve pa leje, dhe menaxhimi i qendrueshëm i tokës mund të ketë një ndikim pozitiv në përmirësimin e pabarazive rajonale në Shqipëri – duke ulur varfërinë dhe rritur mirëqenien e 40 % të fundit të popullsisë duke mundësuar përdorim më të sigurtë dhe produktiv te aseteve.
Shqipëria ka burime të bollshme agro-pyjore – një element i përfshirjes në zhvillimin ekonomik. Vendi mbulohet me pyje e toka pjellore, por pjesa më e madhe e pyjeve dhe kullotave janë në kushte të pafavorshme.
Të rrisësh mirëqeverisjen përmes rritjes së transparencës
Besimi më i madh mes qytetarëve dhe qeverisë në Shqipëri mund të krijohet përmes ndryshimit të ndërveprimit të qytetarëve me qeverinë. Grupi i Bankës Botërore mbetet i angazhuar që të ndihmojë Shqipërinë për të forcuar dhe përmirësuar ofrimin e shërbimeve dhe rritjen e aksesit për shërbimet bazë për të gjithë popullsinë në vend.
Përmirësimet në cilësinë e ofrimit të shërbimeve për mbrojtjen sociale, shëndetësinë dhe furnizimin me ujë për 40% e fundit të popullsisë, atyre që jetojnë në rajonet më të varfëra në vend dhe komunitetet në nevojë – përfshirë popullsinë rome – mbeten fushat kryesore të angazhimit për Grupin e Bankës Botërore.