Skip to Main Navigation
BRIEF

Energjia në Kosovë

July 30, 2013


Kjo faqe ne gjuhen angleze

 

Image

 

Kosova është njëri ndër vendet më të varfra dhe ka njërën nga shkallët më të larta të papunësisë në Evropë. Pothuajse një e treta e popullsisë prej 1.8 milion banorëve jetojnë nën nivelin e varfërisë, ndërsa një në dhjetë njerëz jetojnë në varfëri të skajshme. Mesatarja e të ardhurave për kokë banori është afro një e dhjeta e asaj të BE-së. Papunësia është veçanërisht e lartë, në rreth 33 për qind, ndërsa papunësia për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është rreth 60 për qind. Krijimi i vendeve të punës, pra, është prioritet i madh për këtë vend.

Për t’i dhënë shtysë punësimit, për ta shtuar zhvillimin, për ta ulur varfërinë dhe për ta përmirësuar jetën e popullit, Kosova ka nevojë për energji të përballueshme dhe të sigurt. Sistemi aktual i energjisë elektrike në vend është i vjetruar, i papërshtatshëm dhe i pasigurt – duke i shkaktuar sfida të mëdha rritjes ekonomike dhe zhvillimit. Ndërprerjet e shpeshta të rrymës i pengojnë investimet dhe e dëmtojnë prodhimin, arsimin dhe shërbimet shëndetësore. Shumë qytetarë ende djegin dru zjarri dhe qymyr për ngrohje dhe gatim, çfarë shkakton ndotje të ajrit që pastaj shkakton probleme të frymëmarrjes dhe probleme të tjera shëndetësore. Pa një furnizim të besueshëm, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji elektrike, kompanitë e huaja dhe vendore hezitojnë të investojnë dhe të krijojnë vende të punës në Kosovë.

Prandaj, qeveria e Kosovës e ka caktuar si prioritet modernizimin dhe përmirësimin e sektorit të energjisë në vend, ndërsa ka kërkuar mbështetje dhe ndihmë nga partnerët e saj për zhvillim, duke përfshirë Bankën Botërore, Komisionin Evropian, KfW-në, USAID-in dhe donatorët e tjerë.

Banka Botërore është e përkushtuar që t’i ndihmojë Kosovës që ta zgjidhë çështjen e mungesës së energjisë elektrike përmes një strategjie gjithëpërfshirëse që përfshin efiçiencën e shtuar të energjisë, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, integrimin në tregjet rajonale të energjisë si dhe mbështetjen për një prodhim të ri të energjisë që është edhe i besueshëm, edhe i qëndrueshëm dhe i përballueshëm për qytetarët.

Në mbarë botën, kushtet e furnizimit me energji ndryshojnë, ndërsa secili vend e përcakton vet se si t’i përmbushë më së miri aspiratat e veta për energjinë. Opsionet e furnizimit me energji elektrike në Kosovë janë tejet të kufizuara, për shkak të disponueshmërisë modeste të burimeve të ripërtëritshme të arritshme, fabrikave të vjetruara dhe të pasigurta për prodhim të energjisë nga linjiti, ndërprerjeve në furnizim në vendet fqinje (sidomos gjatë kërkesës më të lartë, çfarë e kufizon aftësinë e Kosovës për të importuar rrymë) dhe mungesës së çfarëdo burimi të gazit natyror apo infrastrukturës për të importuar gaz. Gjatë viteve të fundit, kërkesa për energji elektrike e ka tejkaluar furnizimin për disa herë – problem ky që pritet të përkeqësohet me mbylljen e njërës prej fabrikave më të mëdha të linjitit (Kosovës A), e cila e siguron afro një të tretën e prodhimit të energjisë elektrike në vend.

Qeveria e Kosovës synon ta vë sektorin e saj të energjisë në një rrugë të qëndrueshme, përmes zhvillimit të potencialit për energji të ripërtëritshme dhe shtimit të efiçiencës së energjisë, duke e mbyllur një termocentral pesëdhjetëvjeçar dhe duke e rehabilituar një termocentral tjetër të vjetër. Qeveria po ashtu dëshiron të sigurojë që të ruhet përballueshmëria e energjisë elektrike, për shkak të shkallës së lartë të varfërisë dhe papunësisë në vend. Grupi i Bankës Botërore e mbështet këtë qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit të energjisë në Kosovë.

Fushat e angazhimit

Angazhimi i Grupit të Bankës Botërore për energjinë synon t’u ndihmojë vendeve kliente që ta sigurojnë një furnizim të përballueshëm, të sigurt dhe të qëndrueshëm me energji, i cili është i nevojshëm për zhvillim, ulje të varfërisë dhe prosperitet të përbashkët. Angazhimi i Grupit për t’i ndihmuar Kosovës që ta përmirësojë sektorin e saj të energjisë është i gjerë: Projektet janë të dizajnuara për ta shtuar efiçiencën e energjisë, për ta bërë më të lehtë mjedisin politik dhe rregullativ për energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë, për tu marrë me trashëgiminë mjedisore të termocentraleve të vjetra, për ta përmirësuar prodhimin e energjisë, për ta plotësuar kërkesën për të dhe për ta përmirësuar furnizimin me ujë.

Efiqenca e Energjisë dhe Energjia e Ripërtëritshme

Efiçienca e shtuar e energjisë (EE) dhe energjia e ripërtëritshme (ER) janë komponentë themelorë të angazhimit të Grupit të Bankës Botërore në sektorin e energjisë dhe janë tejet të rëndësishme për t’i ndihmuar Kosovës që të arrijë siguri më të madhe të energjisë. Ky vend ka potencial të madh për ta shtuar efiçiencën e energjisë dhe për t'i integruar burimet e ripërtëritshme në kombinimin e saj të furnizimit me energji. Megjithatë, meqë kërkesa për energji është parashikuar të rritet për afro 4.6% në vit deri në vitin 2020, nevoja për ta shtuar efiçiencën e energjisë po bëhet gjithnjë e më urgjente. Më shumë…

Infrastruktura e energjisë - modernizimi i sektorit të energjisë


Sot, kapaciteti operativ i energjisë elektrike në Kosovë është rreth 900 mv, që pothuajse i tëri vjen nga dy termocentrale të vjetruara me ndezje me qymyr – Kosovës A dhe Kosovës B. Me rritjen e popullsisë, do të vazhdojnë të shtohen edhe kufizimet e vazhdueshme për energji. Për ta plotësuar kërkesën në rritje për energji elektrike, për t’i reduktuar ndërprerjet e rrymës dhe për ta ulur shkallën e lirimit të gazrave serrë (GS-ve) në ajër, Qeveria e Kosovës është duke e rehabilituar termocentralin Kosova B – i cili është më shumë se 30 vjet i vjetër – për ta bërë atë që të jetë përputhje me direktivat përkatëse të Bashkimit Evropian, për ta ndërtuar një termocentral të ri dhe më efikas me ndezje me linjit dhe për ta zëvendësuar termocentralin dyzetepesëvjeçar Kosova A, i cili është shumë ndotës. Më shumë…

Pastrimi dhe rikthimi i tokës

Pas rreth 50 vjetëve të prodhimit të energjisë përmes ndezjes me qymyr shtresa të mëdha të hirit janë emetuar nëpër zonat përreth termocentraleve të Kosovës, duke e ndotur ajrin e vendit dhe duke e krijuar një kodër të hirit që mund të shihet prej më shumë se 10 kilometrave. Që nga viti 2007, Grupi i Bankës Botërore ka punuar me Qeverinë e Kosovës për t’i trajtuar këto çështje. Më shumë…

Uji

Nga energjia e ripërtëritshme e deri te hidroenergjia e menaxhimi i mbeturinave, uji është komponent qenësor i strategjisë kosovare për energjinë dhe tejet i rëndësishëm për angazhimin e Grupit të Bankës Botërore në sektorin e energjisë në Kosovë. Më shumë…

 

 




Welcome